UBT News

Avokati i Popullit dorëzoi raportin në Kuvend: 676 ankesa pranohen për hetim

Avokati i Popullit ka pranuar 1 mijë e 602 ankesa gjatë vitit të kaluar, prej të cilave 676 i ka cilësuar ta pranueshme për hetim. Kjo bëhet e ditur në raportin e dorëzuar në Kuvendin e Kosovës në të cilin thuhet se ky institucion ka nisur 42 raste sipas detyrës zyrtare dhe 16 prej tyre janë nga raportimet në media.

Ankesa për organet e drejtësisë, shkelje e të drejtës për kujdes shëndetësor, të drejtat në punë e në pronë dhe dyshimet për diskriminim, janë vetëm disa prej ankesave me të cilat qytetarët i janë drejtuar këtij institucioni gjatë vitit 2022.

“Gjatë këtij viti raportues, IAP ka pranuar gjithsejtë 1,602 ankesa, prej të cilave 910 janë cilësuar si të papranueshme, ndërsa 676 ankesa janë vendosur si të pranueshme për hetim, dhe 16 raste tjera janë në shqyrtim. Prej ankesave të pranueshme për hetim, 23 për qind prej tyre janë ankuar për shkelje të të drejtës për të pasur një gjykim të drejtë e të paanshëm. 21 për qind kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, ndërsa 12 për qind e ankesave kishin të bënin me të drejtën e punës, e kështu me radhë”, thuhet në komunikatë.

Raporti i dorëzuar në Kuvendin e Kosovës përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit, por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

“Gjatë vitit 2022, numri më i madh i ankesave të qytetarëve kishin të bënin me organet e drejtësisë, që është në nivel të ngjashëm si në vitet e mëparshme. Pastaj ankesat për shkeljen e së drejtës për kujdes shëndetësor, për të drejtat e punës, për mbrojtje sociale, për të drejtën e pronës, dyshimet se janë të diskriminuar”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Exit mobile version