Avokati i Angelina Jolie ka akuzuar Brad Pitt se po përpiqet të kontrollojë aktoren dhe mënyrën se si paraqitet përballja e tyre ligjore, pas një vendimi të fundit të gjykatës.
Një gjyqtar ka refuzuar kërkesën e Pitt që Jolie të dorëzonte dokumente financiare për periudhën 2017–2019. Megjithatë, kërkesa mund të shqyrtohet sërish nëse gjatë dëshmisë së aktores dalin në pah informacione për të ardhurat ose gjendjen e saj financiare gjatë këtyre viteve, raporton Daily Mail.
Kërkesa e ekipit ligjor të Pitt lidhet me pretendimin e Jolie se, pas ndarjes së tyre në vitin 2016, ajo kishte pezulluar kryesisht karrierën dhe kishte humbur vite të të ardhurave.
Avokatët e aktorit pretendojnë se Jolie kishte pranuar të dorëzonte dokumente financiare për periudhën 2017–2021, por më pas kishte paraqitur dokumente vetëm për vitet 2020 dhe 2021.
Në një deklaratë për Daily Mail, avokati i Jolie i kritikoi këto kërkesa, duke pretenduar se ato janë pjesë e përpjekjeve të Pitt për të kontrolluar aktoren dhe mënyrën se si paraqitet çështja në publik. Sipas tij, Jolie ka kërkuar prej kohësh të shkëpusë jetën personale dhe financiare nga ish-bashkëshorti.
Avokati pretendoi gjithashtu se Pitt kishte tentuar ta përdorte largimin e Jolie nga kantina e verës Château Miraval për ta shtyrë atë drejt një marrëveshjeje konfidencialiteti, e cila, sipas tij, do të përfshinte edhe pretendimet për abuzim ndaj aktores dhe fëmijëve të tyre.
Përfaqësuesit e Brad Pitt nuk kanë dhënë ende një përgjigje publike ndaj këtyre akuzave./A.K/
