UBT News

Avioni ushtarak rus shkel hapësirën ajrore të Polonisë

Një avion ushtarak rus SU-24MR ka shkelur hapësirën ajrore polake duke fluturuar në zonën e gjirit të Gdanskut, në Detin Baltik të martën.

Avioni fluturoi 6.5 km në hapësirën ajrore polake dhe qëndroi aty për pak më shumë se 1 minutë përpara se të ndryshonte kursin.

Këtë shkelje Rusia e ka justifikuar duke thënë se ishte një dështim i sistemit të lundrimit.

“Shërbimet polake që mbikëqyrin hapësirën ajrore ishin në kontakt me palën ruse, e cila konfirmoi shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe raportoi se ajo ndodhi për shkak të një dështimi të sistemit të navigimit të avionit. Rruga e fluturimit u ndryshua menjëherë pas ndërhyrjes së navigatorit të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse”, sqaroi Komanda Operative e forcave të armatosura polake.

Avioni rus po kryente një fluturim nga enklava ruse e Kaliningradit në momentin kur ndodhi incidenti.

“Rusët kanë kohë që po hetojnë, provojnë dhe testojnë në Balltik. Nuk është çështje e muajve të fundit, është çështje e viteve të fundit”, i tha ministri i Brendshëm polak Tomasz Siemoniak transmetuesit TVN24 të martën vonë.

“Është e rëndësishme që sistemet tona e kanë zbuluar menjëherë këtë avion dhe që ai u largua nga hapësira jonë ajrore pasi mori mesazhin se e kishte shkelur”, shtoi ai. Siemoniak po ashtu nënvizoi se ministria e jashtme polake do të vlerësojë situatën dhe do të përgjigjet.

Exit mobile version