UBT News

Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Letonisë, reagon NATO

Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë njoftoi se avionët ushtarakë rusë shkelën shkurt hapësirën ajrore lituaneze sonte, duke shkaktuar një reagim të shpejtë nga avionët e NATO-s që ndodheshin në patrullën rutinë.

“Forcat tona vepruan shpejt me ndihmën e avionëve luftarakë të NATO-s në patrullë. Lituania është e fortë dhe gati. Çdo centimetër e vendit tonë është e mbrojtur”, njoftoi ministria në X.

Presidenti Gitanas Nauseda e dënoi ashpër incidentin duke thënë se paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit territorial të Lituanisë.

Dy aeroplanët, një luftarak Su-30 dhe një cisternë karburanti Il-78, me shumë gjasa ishin në një mision stërvitjeje për furnizim me karburant kur fluturuan 700 metra në Lituani nga rajoni i Kaliningradit, tha ushtria.

Ata qëndruan mbi hapësirën e Lituanisë ​​për 18 sekonda. Kryeministrja lituaneze, Inga Ruginiene, tha në Facebook se incidenti tregon edhe një herë se Rusia po sillet si një shtet terrorist, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë e vendeve fqinje.

Incidenti pasoi një incident të ngjashëm në shtator, kur tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo dhe qëndruan për 12 minuta. Incidenti shkaktoi reagime të ashpra nga Talini dhe NATO, të cilat e përshkruan fluturimin si të papërgjegjshëm.

Shkeljet e hapësirës ajrore të Baltikut nga avionët rusë janë shumë të ndjeshme, veçanërisht pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Në fund të shtatorit, Lituania autorizoi forcat e saj të armatosura të rrëzonin dronët që hyjnë në hapësirën e saj ajrore, pasi disa dronë rusë u rrëzuan në territorin lituanez pranë kufirit.

Misioni i Mbikëqyrjes së Hapësirës Ajrore të Baltikut i NATO-s operon nga bazat ajrore në Shiauliai – Lituani dhe Amari – Estoni, duke siguruar mbrojtje ajrore të përhershme për tri shtetet baltike.

Aktualisht, misioni komandohet nga Forcat ajrore të Spanjës, të cilat kanë vendosur 8 avionë Typhoon në Shiauliai. Avionët Typhoon italianë janë të vendosur në bazën estoneze Amari, ku ofrojnë mbështetje të shpejtë shtesë në rast incidentesh./S.K/KP/

 

 

 

Exit mobile version