Avdullah Hoti ka kërkuar lidership të ri në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij me rezultatin zgjedhor.
Ish-kryeministri i Kosovës ka theksuar se disa aspekte të fushatës zgjedhore kanë kontribuar në dobësimin e kohezionit brenda partisë, duke përfshirë personalizimin e fushatës, përbërjen dhe renditjen e kandidatëve në listë, si dhe paraqitjen dhe favorizimin e një grupi të ngushtë të kandidatëve në mediat.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, tha Hoti.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përfunduar e treta, me 171,357 vota apo 18.27% për qind të votave.