Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër pas lansimit të programit të quajtur “Dritare për Investimet e Diasporës” nga kryeministri Albin Kurti. Hoti ka akuzuar kryeministrin se po e shfrytëzon këtë program për të siguruar votat e mërgatës, duke bërë premtimin se do të tërheqë investime nga diaspora në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shprehur zhgënjimin e tij për mosrealizimin e premtimit të kryeministrit Kurti për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës për udhëtime me kosto të ulët, një plan që sipas tij do të kishte lehtësuar udhëtimet e mërgatës drejt Kosovës.
“Sikur këto mjete prej 100 milionë euro të ishin investuar në funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës siç ka qenë premtimi i Kurtit, sot diaspora jonë do të udhëtonte më lirë drejt vendlindjes. Miliona euro që sot shpenzohen në bileta aeroplani do të mund të investoheshin në Kosovë pa asnjë garancion qeveritar, sepse Kosova është vendi ynë,” ka shkruar Hoti në një deklaratë.
Hoti vijoi akuzat ndaj qeverisë së Kurtit, duke e quajtur atë të pashpallur për mashtrime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe të diasporës.
“Pasi këtyre qeveritarëve nuk u vjen turp të mashtrojnë pa nda qytetarët në Kosovë e në diasporë, ne nuk kemi pse të ndihemi keq të shfaqim mashtrimet e tyre çdo ditë”, ka shtuar ai.