UBT News

AUV zbulon parregullsi në produktet e qumështit, 20 kompani nën masa

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zbuluar parregullsi të shumta në produktet e qumështit pas një aksioni të gjerë kontrolli të zhvilluar nga prilli deri në korrik të këtij viti.

Gjatë kontrolleve janë marrë 495 mostra nga tregu, njësitë prodhuese, depot, pikat kufitare dhe operatorët ekonomikë, të cilat janë analizuar për autenticitetin dhe sigurinë ushqimore.

Sipas rezultateve laboratorike, janë identifikuar 93 mospërputhje, ndërsa 46 raste lidhen me praninë e vajit të palmës ose yndyrave bimore të padeklaruara në etiketë. Në mbi 90 për qind të rasteve të evidentuara, përbërësit nuk ishin deklaruar sipas legjislacionit në fuqi, duke mos u dhënë konsumatorëve informacion të saktë për përbërjen e produkteve.

Në mesin e kompanive ku janë konstatuar këto parregullsi janë: Aldi, ABI Sh.p.k., Abrazen, Ajka Sh.p.k., Anor, BEST BT, Bylmeti, Dauti, Delfini, Elkos, Golaj Sh.p.k., Korabi Puratos, Laktais Sh.p.k., Grandi, Natyra Gd, Korabi, Magic Ice, Teos Sh.p.k., Drena Sh.p.k., Piko Kosova, Proex, Viva Fresh dhe Vision.

Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se ky është një nga proceset më të gjera të kontrollit të ndërmarra ndonjëherë në sektorin e qumështit dhe se për herë të parë është krijuar një pasqyrë e qartë mbi gjendjen reale të tregut.

Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se qumështi i prodhuar nga fermerët e Kosovës është cilësor, por theksoi se problemet shfaqen gjatë përpunimit. Ai paralajmëroi masa ndaj operatorëve që kanë kryer shkelje, duke bërë të ditur se produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, ndërsa aktivitetet e kundërligjshme do të pezullohen në përputhje me ligjin./A.K/

Exit mobile version