UBT News

AUV ndalon importin e shpezëve dhe nënprodukteve nga zonat administrative të Gjermanisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalesën e importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga shteti i Gjermanisë, duke shfuqizuar ndalesën e vendimit të datës 30.10.2025.

Bëhet e ditur se ky vendim është marrë duke iu referuar, raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportit të Komisionit Evropian të datës 28.10.2025 dhe Raportit të Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12.11.2025

“Në bazë të Ligjit të Veterinarisë Nr. 2004/21, lejohet importi i shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, me përjashtim të zonave administrative të prekura si: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein ku është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në disa ferma të shpezëve nga këto zona, nga ku ndalohet importi i shpezëve të gjalla, mishit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e lartpërmendura të shtetit të Gjermanisë”, thuhet në komunikatë.

Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktive deri në vlerësimin e radhës nga autoritetet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare./S.K/EO/

Exit mobile version