UBT News

AUV: Ndalohet importimi i kafshëve të gjalla nga Mali i Zi

Pas njoftimeve të publikuara në sistemet ndërkombëtare ADIS dhe WAHIS lidhur me konfirmimin e shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër (Bluetongue – BT) në shtetin e Malit të Zi, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundje në territorin e Republikës së Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhë, dele dhe dhi nga i gjithë territori i Malit të Zi.

Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV – obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet.

Të gjitha institucionet përkatëse janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Informata mbi sëmundjen Gjuha e Kaltër (Bluetongue – BT)

Është një sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides (mushkonja). Prek ruminantët shtëpiak: gjedhë, dele dhe dhi. Delet janë më të ndjeshme ndaj sëmundjes, pasuar nga dhitë dhe gjedhët.

Shenjat klinike dhe ngordhjet paraqiten kryesisht tek delet, ndërsa gjedhi shërben si rezervuar i sëmundjes. Nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik/D.B/EO

Exit mobile version