Nesër pritet të hyjnë në fuqi masat e reja antiCOVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të mbikëqyrur zbatimin e tyre pasi ka vetëm 11 inspektorë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se konkursi për rekrutimin e inspektorëve të rinj mund të hapet sot ose nesër.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, deklaroi se me këtë numër të vogël të inspektorëve e kanë të pamundur të mbikëqyrin zbatimin e masave antiCOVID, teksa shton se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të shtojë edhe 85 inspektorë të tjerë në mënyrë që të inspektohen të gjitha pikat ku mund të ketë grumbullim të qytetarëve. Ai në një intervistë për KosovaPress ftoi qytetarët dhe bizneset që të bëhen zbatues të masave anti-COVID, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.
“Për momentin ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për mbikëqyrjen e masave antiCOVID dhe ne kemi paraqitur kërkesën pranë Ministrisë për nevojat e Agjencisë për të bërë një mbikëqyrje të duhur për masat antiCOVID. Për momentin aktivë punonjës të Agjencisë, të Inspektoratit Sanitar i kemi vetëm 11 inspektorë, dhe me këta e kemi të pamundur të bëjmë mbikëqyrjen e zbatimit të masave sepse ne kemi edhe detyra të tjera zyrtare, që janë kontrolli i sigurisë ushqimore, i cili në asnjë rast nuk guxon të lihet pa mbikëqyrje. Posa të kemi numër të mjaftueshëm të inspektorëve, ne jemi të përgatitur dhe kemi përvojën se si bëhet zbatimi i masave. Unë i ftoj qytetarët dhe bizneset që të bëhen zbatues të tyre, sepse kjo është në të mirë të jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë”, tha ai.
Thaçi është i bindur se me shtimin e numrit të inspektorëve do të ketë mbikëqyrje të mjaftueshme të zbatimit të masave antiCOVID.
“Kemi paraqitur kërkesën për 85 inspektorë, dhe presim që ky numër do të mjaftojë që të kemi një mbikëqyrje të mjaftueshme të zbatimit të masave antiCOVID sepse inspektorati dhe policia janë ai fronti i parë që bënë parandalimin e përhapjes së virusit. Janë menaxhuesit e pandemisë që ne të mos kemi rritje të numrit”, shton ai.
Sapo të angazhohen inspektorët e rinj, Thaçi thotë se bashkë me Policinë e Kosovës, do të hartojnë planet operative të kontrolleve dhe do të fillojnë me mbikëqyrjen e rreptë të zbatimit të masave në teren.
“Ne presim që sapo të angazhohen inspektorët e rinj dhe të kem kapacitete logjistike, ne menjëherë, ashtu siç kemi vepruar vitin e kaluar, bashkë me Policinë e Kosovës, menjëherë do të hartojmë planet operative të kontrolleve dhe do të fillojmë mbikëqyrjen e rreptë të zbatimit të masave në teren”, vijoi ai.
Thaçi tregon edhe për mënyrën e angazhimit në teren gjatë inspektimeve.
“Ne formojmë ekipe inspektuese dhe në koordinim me policinë, gjithmonë i identifikojmë pikat kritike të kontrollit, vendet ku ekziston mundësia e grumbullimit te njerëzve në kundërshtim me masat e vendosura. Po ashtu, në bazë të zyrave regjionale që ne kemi, koordinojmë aktivitetet bashkë me stacionet e policisë, përkatëse të qyteteve, dhe gjatë gjithë kohës jemi në teren. Ne mbikëqyrim kryesisht personat juridikë, bizneset, ndërsa policia gjithmonë asiston nëse ka nevojë për mbështetje të inspektorëve dhe vazhdon me shqiptimin e gjobave për personat që shkelin masat”, thotë zëdhënësi i AUV.
KosovaPress u interesua rreth konkursit për pranimin e inspektorëve të rinj dhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti u shpreh se janë duke u përgatitur procedurat e rekrutimit.
“Sa më shpejt, tash veç janë duke u përgatitur procedurat e rekrutimit. Mundet sot, nesër me dal konkursi, s’po mund ta paragjykoj për sa kohë janë gati termat e referencës, kriteret”, tha Hoti.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka marrë vendim për anulimin e dasmave dhe ahengjeve dhe mbylljen e klubeve të natës. Po ashtu ka marrë vendim për që gastronomia të punojë deri në orën 22:30.