UBT News

AUV: Helmimi i 30 personave në Mitrovicë u shkaktua nga majonezi

Dy lloje të majonezave thuhet të kenë rezultuar me bakterin “salmonella enteritidis” në rastin e helmimit në ushqim të mbi 30 personave në një lokal në Mitrovicë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë thënë se inspektorët së bashku me policinë kanë kryer inspektimin e lokalit të ushqimeve të shpejta “Fast Food On Top” në rrugën “Skënderbeu”, e në mostrat e marra kanë rezultuar baktere.

Sipas AUV-it, është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj përgjegjësit të biznesit, e lokali vazhdon të jetë i mbyllur nga 6 tetori “deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara në urdhëresat”.

“Më datë 6 tetor 2023 pas orës 18:00, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e QKMF në Mitrovicë, pacientë si raste të dyshimta në helmim me ushqim me shfaqje të simptomave: temperaturë, ethe, dhimbje barku, mundim, vjellje, dhembje të muskujve dhe kokëdhimbje. Kryesisht persona (nxënës të shkollave fillore, gjimnazit, shkollës ekonomike dhe shkollës së mesme të muzikës e cila gjendet afër lokalit ‘Fast Food On Top’). Të gjithë pacientët kishin konsumuar ushqim në ‘Fast Food On Top’ më datë 5 dhe 6 Tetor, 2023 para dite dhe pasdite (hamburgerë me pleskavicë, dyner, chicken burger, majonez, ketchup dhe sallatë ruse). Pas njoftimit, Inspektorët Sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në vend ngjarje bashkë me ekipin e QRSHP-ës dhe Policisë”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, ditëve të fundit u regjistrua edhe një helmim nga ushqimi i 205 personave në Malishevë.

Gjykata Themelore e Gjakovës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pronarit të lokalit.

Exit mobile version