Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka bërë të ditur se ka asgjësuar 2 mijë e 934 kilogramë tranguj të konservuar, pas njoftimit lidhur me zbulimin e mbetjeve të pesticidit Chlorpyrifos në tranguj të përpunuar në Mamushë dhe të eksportuar në Slloveni.
Në njoftim thuhet se AUV ka ndërmarrë masat e menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, përfshirë: identifikimin dhe bllokimin e produktit të prekur si dhe koordinimin me institucionet relevante brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF.
Nga veprimet e ndërmarra sipas njoftimit të RASFF, është konstatuar se loti numër 090827, në sasinë prej 2934,70 kg tranguj të prerë dhe të konservuar, ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë, është asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe palës përkatëse, konform legjislacionit në fuqi.
AUV njofton qytetarët e tranguj të tillë nuk gjenden në tregun e Kosovës dhe se situata është plotësisht nën kontroll./KP
