Në akset rrugore do të vendosen pajisje inteligjente të cilat monitorojnë 24/7 lëvizjen e mjeteve në rrugë, duke regjistruar shpejtësinë, targën e mjetit dhe zbatimin e rregullave të tjera si vendosjen e rripit të sigurisë, apo përdorimin e celularit në timon etj.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, përdorimi i kësaj autoveture inteligjente do të ndikojë pozitivisht në goditjen transparente të shkeljeve të Kodit Rrugor.“Mirëmëngjes dhe me autoveturën inteligjente që do të ndikojë pozitivisht në goditjen transparente të shkeljeve të Kodit Rrugor, ndërkohë që po ecim përpara me projektin e kontrollit inteligjent të sigurisë rrugore, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Kjo pajisje është teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në të gjitha korsitë.Është një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore. Pajisja mund të lëvizë lehtësisht në të gjitha segmentet rrugore.