UBT News

Autoritetet në Filipine urdhërojnë mbylljen e një faqeje të lajmeve

Autoritetet në Filipine urdhëruan sërish mbylljen e një uebfaqeje të gazetarisë hulumtuese që u themelua nga laureatja e çmimit Nobel, Maria Ressa.

Rappler është një nga mediumet e pakta në Filipine që kritikojnë qeverisjen e presidentit Rodrigo Duterte. Vendimi i rregullatorit vjen pak përpara se Duterte të largohet nga detyra dhe të pasohet nga aleati i tij, Ferdinand Marcos Jr. i cili fitoi zgjedhjet në muajin maj.

Themeluesja e Rappler tha se faqja e lajmeve nuk do të mbyllet dhe se do të përballen në gjyq.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të bëjmë biznes si zakonisht. Ne do të ndjekim procesin ligjor dhe do të mbrojmë të drejtat tona”, deklaroi mes tjerash ajo.

Ajo tha se vendimi ka ardhur pas procedurave shumë të parregullta dhe se faqja nuk mund të llogarisë më në sundimin e ligjit.

Rregullatori fillimisht trajtoi një çështje kundër mediumit Rappler në vitin 2018, duke zhvleftësuar kredencialet e organizatës së lajmeve, sepse sipas tij, kompania i kishte shitur kontrollin e vetes një entiteti të huaj duke shkelur kufizimet e pronësisë së huaj në mediat filipinase. Rappler ka luftuar kundër vendimit që atëherë. Mediumi mohon se financimi i saj nga investitorët amerikanë është kundër ligjit./UBTNews/

Exit mobile version