Prokuroria e Shtetit holandez njoftoi sot se është arrestuar një refugjat sirian 37-vjeçar, i cili akuzohej se kishte kryer krime të dyshuara lufte si zyrtar i sigurisë së Shtetit Islamik (IS).
Prokuroria deklaroi se siriani kërkoi azil në Holandë në vitin 2019 dhe se ekipi special i policisë holandeze për krimet e luftës mori informacion se i dyshuari, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, kishte një rol udhëheqës në shërbimin e sigurisë së IS nga viti 2015 deri në 2018, dhe se më parë kishte të njëjtin rol në Al-Nusra Front, ish-krahu i Al Kaedës në Siri.
Sipas autoriteteve holandeze, siriani i arrestuar ishte i angazhuar edhe në afërsi të Yarmouk, një periferi jugore të Damaskut, ku ndodhet një kamp i madh refugjatësh palestinezë.
I dyshuari do të dalë para një gjykatësi në Hagë të premten.
Sipas ligjit holandez, gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në tokë të huaj mund të ndiqen penalisht sipas ligjit ndërkombëtar nëse i dyshuari banon në Holandë.