UBT News

Autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë shkatërrojnë një grup për trafikim armësh

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Shqipëri, kanë shkatërruar një grup kriminal të trafikimit të armëve, që ka qenë aktiv në të dyja shtetet.

Pas hetimeve mbi nëntë muaj, autoritetet kanë arrestuar 14 persona të dyshuar.

Tetë persona janë arrestuar në Kosovë, gjashtë shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë, me inicialet: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., B.A.

Gjashtë persona janë arrestuar në Shqipëri, me inicialet E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh.

Pas kryerjes së kontrolleve në nëntë lokacione, Prokuroria ka bërë të ditur se në Kosovë janë gjetur dhe sekuestruar 29 pistoleta, tri armë të gjata, 2.635 fishekë të modeleve të ndryshme, dy automjete dhe pajisje tjera.

Në Shqipëri janë gjetur 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme.

Në një konferencë për media, zyrtarë të Policisë së Kosovës,dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë, kanë thënë se hetimet për këtë rast kanë nisur qysh prej prillit, pasi kanë pranuar informacione se disa njerëz janë duke u marrë me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje për krijim të një ekipi të përbashkët hetimor, ndërsa në këtë operacion, të titulluar “Çmontimi”, ka ndihmuar edhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL)./REL/

Exit mobile version