Një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit” në aksin Elbasan- Librazhd mesditën e sotme, 7 shkurt.
Nga informacionet paraprake nuk raportohet për të lënduar. Shkak dyshohet se është bërë devijimi i rrugës për shkak të rënies së gurëve sa herë që ka reshje.
Gazetarja Edisona Skënderi bën me dije se shoferi i autobusit ka reaguar në kohë dhe ka bërë të mundur shmangien e tragjedisë.
Edhe pse ka kaluar 1 javë nga aksidenti tragjik i 1 shkurtit, nuk është marrë asnjë masë për vendosjen e barrierave në këtë aks të rrezikshëm për automjetet.
Në datën 1 shkurt në të njëjtin vend, u shënua aksidenti me një bilanc tragjik. Tre persona humbën jetën pasi makina me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin. Në makinë ishin 5 persona, burrë e grua dhe djali i tyre 10 vjeç si dhe dy të rinj. Viktima mbetën bashkëshortët nga Kukësi Elona Keqa 34 vjeçe dhe Elmi Keqa, 52 vjeç edhe Elis Sulmataj 18-vjeç.
Djali 10 vjeçar i çiftit që humbi jetën u nxorr në gjendje të rëndë nga banorët e zonës që ndërhynë të parët. Ai u soll në gjendje kome për trajtim të Specializuar në Tiranë. E mbijetuar e tragjedisë në Shkumbin është edhe 20 vjeçarja Ambra Halili e cila u plagos rëndë.