Më shumë se 30 persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik autobusi në një rrugë malore në Bolivi, njofton policia.
Automjeti ka rënë nga një lartësi prej pothuajse 800 metrash në një luginë në rrethin jugperëndimor të Yocalla. Sipas një oficeri të policisë, 14 persona të tjerë, përfshirë 4 fëmijë, janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur mes qyteteve Potosi dhe Oruro, dhe zyrtarët besojnë se shkaku i përplasjes mund të ketë qenë shpejtësia e lartë, duke bërë që shoferi të humbë kontrollin. Koloneli i policisë, Victor Benavides, theksoi për agjencinë AFP se ky është një nga aksidentet më të rënda rrugore të këtij viti në Bolivi.
Aksidentet rrugore vdekjeprurëse janë një fenomen i zakonshëm në Bolivi, ku rrugët malore janë të njohura për rrezikshmërinë e tyre. Vetëm muajin e kaluar, 19 persona humbën jetën kur një autobus doli nga rruga afër Potosit. Sipas të dhënave të qeverisë, aksidentet rrugore vrasin mesatarisht 1400 njerëz çdo vit në këtë vend të Amerikës së Jugut, që ka rreth 12 milionë banorë.