UBT News

Austria e ndal shqyrtimin e kërkesave të sirianëve për azil, pas rënies së Assadit

Qeveria në detyrë e Austrisë njoftoi të hënën se ka urdhëruar ndaljen e shqyrtimit të kërkesave të sirianëve për azil, pasi rebelët e morën Damaskun dhe presidenti Bashar al-Assad iku në Rusi, 13 vjet pas luftës civile.

Lufta civile i detyroi miliona sirianë të ikin nga vendi. Ata ishin pjesë e madhe e një milion njerëzve të cilët shkuan në Gjermani dhe Austri gjatë krizës evropiane me imigrantë në vitet 2015 dhe 2016.

Kritikat kundër atij infiksi vazhdojnë ta rrisin mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë dhe konservatorët.

Kancelari Karl Nehammer e udhëzoi sot ministrin e Brendshëm, Gerhard Karner, t’i pezullojë të gjitha kërkesat e tanishme për azil dhe t’i rishikojë të gjitha rastet e dhënies së azilit”, tha Ministria e Brendshëm e Austirsë në një komunikatë.

Karner shtoi: “E kam udhëzuar Ministrinë ta përgatisë një program për riatdhesim dhe dëbim në Siri”, pa shpjeguar se si do të bëhej kjo.

Nehammer tha në X të dielën se gjendja e sigurisë në Siri duhet të rivlerësohet për ta mundësuar rifillim e dëbimeve.

Ministria tha se do t’i pezullojë edhe ribashkimet familjare, në bazë të të cilave familjet e refugjatëve mund t’u bashkohen atyre.

Sirianët janë grupi më i madh i azilkërkuesve në Austri, me 12.871 kërkesa këtë vit deri në nëntor.

Nehammer dhe Karner vijnë nga partia konservatore, Partia e Popullit (OVP), e cila ka qëndrime të ashpra ndaj imigracionit, ngjashëm sikurse partia e ekstremit të djathtë, Paria e Lirisë (FPO).

Nehammer është në bisedime për koalicionin qeverisës me dy parti të tjera, të cilat synojnë ta formojnë qeverinë e re pa FPO-në, pavarësisht se FPO-ja doli e para në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Ministria e Brendshme tha se ende nuk është vendosur për 12.886 kërkesat për azil, prej të cilave 1.146 kanë të bëjnë me ribashkim familjar./REL/

Exit mobile version