Homologët e BE-së të kancelares gjermane Angela Merkel u rreshtuan për t’i thënë sot asaj ”mirupafshim” (”Auf Wiedersehen” në gjermanisht – shën. i përkth.), në atë që mund të jetë samiti i fundit për konservatoren e hekurt, pas pothuajse 16 vjetësh në detyrë.
Kancelari austriak Alexander Schallenberg e përshëndeti atë si një “evropiane të madhe”, kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel e quajti atë një “makinë kompromisi” dhe kryeministri belg Alexander De Croo tha se ajo “e kishte shënuar me të vërtetë Evropën” për më shumë se një dekadë.
Dita e dytë e bisedimeve në Bruksel iu kushtua politikës digjitale dhe migrimit.
Por, samiti përfundimtar i Merkelit – në varësi të rezultatit të negociatave në vazhdim të koalicionit të qeverisë gjermane, pas më shumë se 100 të tillëve, u duk të ishte relativisht jospektakolar.
Një darkë vonë të enjten dështoi të prodhojë një përparim mbi çmimet e energjisë ose në një mosmarrëveshje të shtetit të së drejtës me Poloninë.
Merkel është e njohur si një negociatore e shkathët, e aftë për të marrë të 27 shtetet në bord dhe për të marrë vendime të rëndësishme përtej linjës, pavarësisht përçarjeve kokëforta.
Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha se Merkel ishte një “politikane e madhe” që kishte ndërhyrë në “momente kritike dhe që na ndihmoi të gjenim zgjidhjen”, duke përmendur negociatat e vështira të vitit të kaluar mbi buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian dhe fondin e përbashkët të rimëkëmbjes pas pandemisë.
Pavarësisht lavdërimeve, Merkel ka marrë edhe kritika serioze nga udhëheqës të tjerë.
Hungaria dhe Polonia ishin shumë kritike ndaj qëndrimit të saj relativisht liberal gjatë një fluksi të madh refugjatësh në vitin 2015.
Emri i saj është gjithashtu i lidhur ngushtë me politikat shtrënguese jopopullore të epokës së krizës së borxhit në Greqi dhe Itali./ATSH-DPA/ –