UBT News

Audrey Nuna firmos me “Republic Records”, nis një kapitull të ri në karrierën muzikore

Këngëtarja dhe aktorja Audrey Nuna ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj, duke nënshkruar kontratë me kompaninë prestigjioze muzikore “Republic Records”, raportoi Variety.

Ky bashkëpunim vjen pas një viti jashtëzakonisht të suksesshëm për artisten. Ajo i dha zërin personazhit Mira në filmin e animuar “KPop Demon Hunters”, ndërsa më pas fitoi një çmim Oscar si pjesë e grupit imagjinar Huntr/X, falë këngës “Golden”, e cila u bë pjesë e kolonës zanore të filmit.

“Jam e nderuar të punoj me një partner që beson në investimin për të ardhmen e muzikës dhe kulturës”, është shprehur Audrey Nuna lidhur me marrëveshjen e re.

Njëkohësisht, artistja ka prezantuar edhe projektin e saj më të ri muzikor, “superHuman”, një këngë e shkruar gjatë një periudhe me shumë ndryshime në jetën e saj. Sipas saj, projekti pasqyron rikthimin e besimit dhe suksesit pas sfidave personale.

“Doja ta kapja atë ndjenjë të shpërblimit, të vlerësimit dhe momentit kur gjërat më në fund ndryshojnë. Por, njëkohësisht, doja t’i kujtoja vetes dhe të tjerëve se të qëndrosh njeri është fuqia më e madhe”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, suksesi i “KPop Demon Hunters” pritet të vazhdojë edhe përtej ekranit. Netflix ka njoftuar se në vitin 2027 do të organizojë një turne botëror koncertesh të frymëzuar nga filmi.

Filmi rrëfen historinë e grupit të vajzave HUNTR/X, të cilat bëjnë një jetë të dyfishtë si yje të muzikës K-pop dhe luftëtare kundër demonëve. Kombinimi i muzikës, aksionit dhe rrëfimit e ka shndërruar atë në një fenomen global.

Sipas raportimeve, “KPop Demon Hunters” është bërë filmi më i shikuar ndonjëherë në Netflix, duke nxitur një valë të madhe entuziazmi mes fansave, me këngë virale, trende në rrjetet sociale dhe kostume të frymëzuara nga personazhet e filmit.

D.L

Exit mobile version