Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, kryeministri Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci e kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Krahas liderëve institucional, homazhe kanë bërë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë e udhëheq e përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se që nga mbarimi i luftës, ka munguar vullneti i palës serbe për të lejuar gërmime në lokacione ku dyshohet se ka varreza masive. Ai ka thënë se gërmime ka pasur në pesë lokacione, ndërsa mijëra të tilla janë zhvilluar në Kosovë.
“Shumica dërmuese ose mbi 94 për qind të atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pra pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit në Serbi në varrezat masive në Batajnicë e Peruqac. Nga këto varreza masive janë nxjerrë gjithsej 900 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, pastaj nuk ka pasur gërmime dhe në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2021, në dy varrezat masive janë nxjerrë edhe 61 shqiptarë të tjerë. Pra pjesa dërrmuese janë në muajt e parë të rrëzimit të Millosheviqit, më pastaj nuk ka pasur vullnet për gërmime të mëtutjeshme në Serbi, ndërsa në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vite”, ka thënë Kurti.