Kriptovalutat deri tash nuk janë tatuar në Kosovë. Si rrjedhojë konsiderohet se buxheti i Kosovës është dëmtuar si pasojë e mospagesës së të tatimeve.
Duke qenë se kriptovalutat kanë filluar të rrisin edhe vlerën e tyre në treg dhe të jenë gjithnjë e më të pranishme në blerje në vende të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën, Administrata Tatimore e Kosovës, sot, përmes një njoftimi publik, ka bërë të ditur se të gjitha të ardhurat e gjeneruara nga kriptovalutat, janë të ardhura të tatueshme edhe në Kosovë.
“Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK thotë e tash e tutje aktivitetet e kësaj administrate do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë tatimin dhe kontributet pensionale.
“Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.
“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”
Sipas ATK, pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend./Ubtnews.com