Administrata Tatimore e Kosovës njofton se në muajin e parë të vitit 2024, ATK-ja ka arritur të mbledhë një shumë të konsiderueshme të të hyrave tatimore.
Në njoftim thuhet se shuma prej 111.22 milionë euro e të hyrave të mbledhura ka tejkaluar pritshmëritë e ATK-së, duke arritur të mblidhen 14.5 milionë euro më tepër se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, si dhe 4.26 milionë euro apo 4 për qind më tepër se plani.
Sipas ATK-së këto rezultate janë tregues i përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar integritetin, besueshmërinë dhe profesionalizmin në mbledhjen e tatimeve.
Administrata Tatimore e Kosovës falënderon të gjithë tatimpaguesit për bashkëpunimin e tyre, si dhe i inkurajon ata që të vazhdojnë dhe të deklarojnë e të paguajnë tatimet e tyre në përputhje me ligjin për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë./UBTNews/