Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha parlamentit grek sot se “ata që shantazhojnë Evropën me një krizë ekonomike dhe energjitike humbasin gjithmonë”, përcjell UBT News.
Në një fjalim virtual, Zelensky i kërkoi parlamentit grek të “bëjë më shumë” dhe të përdorë “mundësitë e tij si anëtar e Bashkimit Evropian për të organizuar shpëtimin e Mariupolit”.
“Ata që zgjedhin luftën, humbin gjithmonë. Ata që përpiqen t’i privojnë një vendi pavarësinë dhe integritetin e tij territorial gjithmonë humbin. Ata që shantazhojnë Evropën me një krizë ekonomike dhe energjetike humbin gjithmonë”, tha ai.
Rusia po përpiqet të sigurojë që “varfëria energjetike të bëhet një realitet i ri në këtë kontinent”, tha ai, duke shtuar se Rusia “po bën gjithçka që mundet për të provokuar inflacion për shumë njerëz”.
Presidenti ukrainas bëri thirrje gjithashtu për bllokimin e të gjitha bankave ruse nga sistemi financiar botëror.
“Ndërsa trupat ruse bllokojnë qytetet paqësore dhe deportojnë njerëzit tanë, asnjë bankë ruse nuk ka të drejtë të fitojë para në sistemin financiar botëror”, tha Zelensky. “Ato duhet të bllokohen. Të gjithë ato duhet të bllokohen dhe jo vetëm disa prej tyre”.
Ai shtoi se “asnjë anije ruse nuk duhet të ketë mundësi të hyjë në ndonjë pjesë të botës demokratike”.