Pasi iku nga lufta në Ukrainë dhe mbërriti në Varshavë me makinë dhe në këmbë, 22-vjeçarja Khrystyna Trach nuk e kishte idenë se si do të arrinte në Spanjë ku jeton motra e saj.
Pastaj ajo dëgjoi për një autokolonë me taksistë të Madridit që kishin ardhur në Poloni për të ofruar ndihmë dhe për të transportuar një grup prej 135 ukrainasish nga një qendër refugjatësh në Varshavë për në Spanjë.
“Ata janë heronjtë tanë”, i tha ajo AFP-së jashtë një kishe qendrore të Madridit, ku karvani me 29 taksi mbërriti në orët e hershme të së enjtes pas një udhëtimi epik pesë-ditor.
Shumica e refugjatëve janë gra dhe fëmijë që, si Trach, tashmë kanë familje ose miq që jetojnë në Spanjë. Me ta ishin katër qen dhe një mace.
“Unë do të kërkoj punë tani për të fituar para për të ndihmuar vendin tim dhe familjen time”, tha Trach, një jetime që la gjyshërit e saj në Kiev.
Ajo foli në spanjisht, gjuhë të cilën e mësoi si fëmijë, ndërsa qëndroi me një familje në Spanjë për tre muaj.
Për shumë njerëz, si Olha Shokarieva 46-vjeçare, e cila u largua nga kryeqyteti Kiev me djalin e saj 15-vjeçar, largimi ishte një përvojë e hidhur.
“Unë jam këtu vetëm me djalin tim më të vogël. Burri im është tani në Kiev dhe djali im i madh është në (qytetin perëndimor të) Vinnytsia, ata po qëndrojnë atje dhe po luftojnë”, tha ajo në anglisht.
“Ne nuk e dimë nëse kemi më shtëpinë tonë dhe nuk e dimë se cila është e ardhmja jonë”.
Pasi kaluan Evropën së bashku, shumë shoferë dhe pasagjerë të tyre u përqafuan me njëri-tjetrin dhe qanë ndërsa thanë lamtumirë.
‘Jeta ndryshoi’
Ideja lindi nga një diskutim mes shoferëve të taksive rreth bombardimeve ruse të Ukrainës, ndërsa ata prisnin klientët në aeroportin e Madridit.
Kur njëri sugjeroi të udhëtonte për në Poloni për të ndihmuar refugjatët, disa të tjerë ranë dakord, tha Jose Miguel Funez i Federatës Profesionale të Taksisë së Madridit, i cili koordinoi operacionin.
Organizatorët vlerësojnë se operacioni kushtoi rreth 50,000 euro (55,000 dollarë), me fondet e mbledhura nëpërmjet donacioneve, kryesisht nga shokët e taksisë.
Më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, me Poloninë duke marrë pjesën më të madhe të tyre, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara./UBTNews/