Presidenti sirian Bashar al-Assad duhet të dalë në gjyq pas “qindra mijëra vdekjeve” dhe “përdorimit të armëve kimike” gjatë luftës civile në vend, tha të martën ministrja e Jashtme franceze.
E pyetur gjatë një interviste televizive nëse donte që Assad të gjykohej, Catherine Colonna tha se “përgjigjja është po”, duke shtuar se “beteja kundër krimit, kundër mosndëshkimit është pjesë e diplomacisë franceze”.
Assad javën e kaluar u kthye në skenën rajonale me një paraqitje në një samit të Ligës Arabe, një organizatë ndërkombëtare në të cilën ishte i ndaluar për një dekadë.
Megjithatë, Colonna tha se Parisi nuk do të ndryshojë politikën e tij ndaj sundimtarit sirian.
“Ne duhet të kujtojmë se kush është Bashar al-Assad. Ai është një lider që ka qenë armiku i popullit të tij për më shumë se 10 vjet”, tha ajo.
Një heqje e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj regjimit sirian “sigurisht nuk ishte” planifikuar, shtoi ajo.
“Përderisa ai nuk ndryshon, përderisa nuk angazhohet për pajtim, për luftën kundër terrorizmit, luftën kundër drogës… për sa kohë që ai nuk i përmbush angazhimet e tij, nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimi ynë ndaj tij”, tha Colonna.
“Unë mendoj se i takon atij të ndryshojë, nuk i takon Francës të ndryshojë qëndrimin tonë”, shtoi ajo./UBTNews/