Replika e kryeministrit Albin Kurti, në kërkesën e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas opozitës, mund të ndikojë në dëmtimin e raporteve me SHBA-në.
Të mërkurën, ambasadori Philip Kosnett tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Duke iu referuar kundërshtimit të qeverisë që të çojë përpara formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ambasadori Kosnett tha se “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.
Por, pas deklaratës së ambasadorit Kosnett, vet kryeministri Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, filluan të luhaten në fund të vitit 2018, por në veçanti u tendosën në fillim të vitit 2020, kur asokohe qeveria “Kurti I”, kishte refuzuar që të largonte tarifën doganore prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.
Dështimi për të larguar taksën, bëri që senatori amerikan, David Perdue, të kërkonte që SHBA-ja të rishqyrtonte praninë e saj ushtarake në Kosovë.
Donald Trump Junior, djali i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte mbështetur këtë deklaratë në Twitter, duke theksuar se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.
Mirëpo, tendosja më e madhe raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, ishte acarimi i raporteve në mes të kryeministrit Albin Kurti si dhe emisarit special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.
SHBA e patën pezulluar Kosovën nga programi për ndihmë ekonomike. “Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit” të njohur si MCC.
Pak javë më vonë, kishte rënë qeveria Kurti dhe udhëheqjen e shtetit e mori Avdullah Hoti i LDK-së.
Një ndër vendimet e para të qeverisë Hoti, ishte largimi i tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Pas këtij veprimi, MCC-ja zhbllokoi programin e ndihmës për Kosovën.
Partitë opozitare në Kosovë, thonë se mund të ketë një acarim të ri të raporteve në mes të Kosovës dhe administrarës së presidentit amerikan, Joe Biden, në rast se qeveria në Prishtinë, nuk merr parasysh rekomandimet që mund t’i japë Ambasada Amerikane apo zyrtarët e lartë amerikanë.
Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se qeveria dhe kryeministri Kurti, nuk duhet që të mbajë qëndrime ekstreme, porse duhet t’i bashkërendoj veprimet me SHBA-në.
“Për mua, është gabim që t’i kundërvihemi politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më mirë do të ishte që të thuhet se ne i bashkërendisim qëndrimet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se jemi të gatshëm ta diskutojmë çështjen”, tha Haliti.
Sipas Halitit, gabimi më i madh që do të mund të bëjë kryeministri Kurti, është që të deklarohet kundër qëndrimeve të SHBA-së.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se pavarësisht agjendave politike, qeveria duhet t’i ruajë raportet me partnerët strategjikë, sidomos me SHBA-në.
Gashi thotë se krahas ruajtjes së raporteve me partnerët, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, duhet që të ruaj edhe interesin shtetëror të Kosovës.
“Kryeministri e ka për detyrë që të ruajë raportet me partnerët strategjikë dhe po ashtu të garantojë dhe të ruajë interesin shtetëror të Kosovës, duke garantuar ruajtjen e Kushtetutës dhe tërësisë territoriale të vendit. Është detyrë e kryeministrit që t’í bëjë këto balancime dhe ne presim që ai t’i bëjë”, tha Gashi.
Gashi thotë se çdo dështim në arritjen e këtij qëllimi, do të shkaktojë dëme të parikuperueshme për vendin.
Për qasje antiamerikane, kryeministri Kurti akuzohet nga AAK-ja. Deputeti i këtij subjekti politik, Pal Lekaj, thotë se kryeministri Kurti në shumë raste ka vepruar në kundërshtim më qëndrimin dhe këshillën amerikane.
“E shoh një distancim të qeverisë Kurti nga politika amerikane, por ne nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit dhe vlerësimit për SHBA-në, për politikat që i kanë zhvilluar në raport me Kosovën dhe e pa rezervë”, thotë Lekaj.
Lekaj thotë se qeveria duhet që të insistojë në intensifikimin e raporteve me SHBA-në, si dhe të kërkojë përfshirje më të madhe në dialog.
Përkundër këtyre që thotë opozita, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, thotë se qëndrimi i qeverisë së Kosovës kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të ndikojë në tendosjen e raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së.
Ai thotë se qeveria e Kosovës në këtë rast, po e mbron kushtetutën e vendit, njejtë siç do ta mbronte edhe SHBA kushtetutën e saj.
“Asociacioni është i papranueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për organizim në vija etnike, sepse është në kundërshtim të plotë të parimeve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paraqitur para Kosovës, në momentin e zgjidhjes së statusit final si shtet shumetnik dhe pa barriera e kufizime të të drejtave të secilit komunitet”, thotë Abazi.
E vetmja formë për themelimin e këtij asociacioni, sipas Abazit, është përkitazi me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke përjashtuar çdo kompetencë ekzekutive.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se përgjigja e kryeministrit Kurti në raport me deklaratat e ambasadorit Kosnett, janë më shumë për konsum të brendshëm sesa për të dërguar mesazh që iu dërgohet ndërkombëtarëve në këtë rast.
“Zotëri Kurti nuk mund të thotë po, do të themelohet asociacioni, ndërkohë që e kishte kauzë kryesore kundërshtimin e këtij asociacioni. Deklarata e ambasadorit amerikan, natyrisht është një qëndrim i SHBA-së, të cilin Kosova duhet ta respektojë jo se e thotë SHBA, por për shkak se krijimi i asociacionit është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë”, thotë Mushkolaj.
Parimet e përgjithshme për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u nënshkruan më 25 gusht 2015 në kuadër të dialogut të Brukselit.
Që nga ajo kohë, kjo marrëveshje nuk gjeti zbatim pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendim se shumica e pikave të marrëveshjes binin ndesh me kushtetutën.
Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, kanë insistuar vazhdimisht në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, porse, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar sërish se marrëveshja nuk mund të zbatohet pasi është kundërkushtetuese.