UBT News

Asociacioni kusht për anëtarësim në KiE?

Pas gati dy vitesh nga koha e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në mes të muajit maj pritet që të votohet në fazën finale për anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill. Por ende Kosova po përballet me pasigurinë e anëtarësimit të plotë.

Së fundmi edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se anëtarësimi është i lidhur me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deklaratat e tilla politologu Albinot Maloku i quan presion për asociacionin, duke shfrytëzuar momentumin kritik kur Kosova është vetëm një hap pranimit.

“Tani po shfrytëzohet momentumi që t’i bëhet presion Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, çdo çështje që ndërlidhet tani ndërlidhet me pjesën e sektorit politikë të shfrytëzimit të momentumit ndaj Kosovës, a është i drejtë asesi nuk është i drejtë, por që republika e Kosovës ka pasur eksperienca me këso lloj presione dhe me këso lloj kushtëzimesh për të gjitha proceset, kujtojmë çështjen e liberalizimit të vizave që ndërlidhej me demarkacionin në mes kufirit Kosovës dhe Malit të Zi dhe çështjeve të tjera”, deklaroi ai.

E në rast se Kosova nuk arrin të anëtarësohet në këtë Këshill, atëherë sipas Malokut ky do të ishte dështim.

“Mosfutja e Kosovës në këtë proces do të jetë dështim i llojit dhe praktikë e përsëritur që merr kohë për diçka që do duhej të kryhej në kohën e duhur siç ishte edhe çështja e liberalizimit të vizave që na mori kohë si pasojë e veprimeve në lidhje me demarkacionin edhe që më në fund ndodhi për qeverinë aktuale pavarësisht se ishte kundështuese e madhe e atij procesi ndodhi dhe u bë që të jetë çështje e mbyllur”, shtoi ai.

Por çështja e anëtarësimit ose jo në Këshill të Evropës, ndërlidhet edhe me një faktor tjetër.

“Ka pasur një angazhim qoftë të parlamentit të republikës së Kosovës dhe komisioneve përkatëse, por edhe të politikës së jashtme, mirëpo kam përshtypjen për arsyejnë kjo ndërlidhet me veprimet e kryeministrit të vendit dmth të qeverisjes së Kosovës sa i përket kërkesave decidive të faktorit ndërkombëtar, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ecet drejt implementimit të po-s së kryeministrit Kurtit të thënë në Bruksel dhe në Ohër”, deklaroi ai.

Takimi i Këshillit të Evropës pritet të mbahet më 16 maj, ku së paku dy e treta e 46 anëtarëve të këtij Këshilli duhet të jenë në favor të vendit./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version