Gjenerali Mark Milley, kryetar i shefave të përbashkët të shtabit të Amerikës, ka thënë se as Rusia dhe as Ukraina nuk ka gjasa të arrijnë qëllimet e tyre ushtarake dhe ai beson se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve.
Pentagoni po rishqyrton rezervat e armëve dhe mund të ketë nevojë të rrisë shpenzimet ushtarake pasiqë e ka parë se sa shpejt janë përdorur municionet gjatë luftës në Ukrainë, deklaroi Milley në një intervistë për Financial Times. Ai tha se ende beson se lufta do të marrë fund në tryezën e bisedimeve.
“Do të jetë pothuajse e pamundur për rusët të arrijnë objektivat e tyre politike me mjete ushtarake. Nuk ka gjasa që Rusia do të kapërcejë Ukrainën. Thjesht nuk do të ndodhë”, tha ai mes tjerash.
“Do të jetë gjithashtu shumë, shumë e vështirë për Ukrainën këtë vit të dëbojë rusët nga çdo centimetër i Ukrainës së pushtuar nga Rusia”, tha ai, duke shtuar: “Nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë… Por është jashtëzakonisht e vështirë. Dhe kjo do të kërkonte në thelb kolapsin e ushtrisë ruse”./UBTNews/