Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se raporti i sotëm i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës rrit shpresat që lakoret e rasteve të reja me COVID-19 të shënojnë rënie.
Sot në Kosovë nuk u shënua asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, ndërsa numri i rasteve të reja të infektimeve ishte 35.
Kurti kërkoi nga qytetarët të jenë të bashkuar në luftimin e COVID-19.
“Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19. Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19. Ky përparim i brishtë shumë prej nesh i gjen në pikëllimin e thellë për më të dashurit që humbëm. Çdo jetë e humbur nga kjo pandemi, është humbje e jona kolektive. Të qëndrojmë̈ të bashkuar deri në ditën kur lakorja për të cilën do të flasim, do të jetë ajo e buzëqeshjes në fytyrat tona për fitoren ndaj virusit”, theksoi Kurti./UBTNews