UBT News

​Asnjë aktivitet i organizuar për Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, është paralajmëruar të jetë festë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare. Megjithatë, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, nuk e kanë parë të rrugës të organizojnë asnjë aktivitet.

Të vetmin organizim për këtë ditë e ka organizuar Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Ky institut hapjën e Ditëve të Alfabetit e bëri me temën qendrore “Profili shumëdimensional i shkrimtarit Ismail Kadare”. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues politikë, anëtarë të korit diplomatik, akademikë, hulumtues shkencorë dhe familjarë të trungut të familjes Qiriazi.

Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i institutit, Skender Asani, theksoi se Kongresi i Alfabetit ka shërbyer si një ngjarje unifikuese për shqiptarët dhe një urë komunikimi me fqinjët ballkanas e miqtë evropianë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti, e përshkroi këtë ngjarje si një hallkë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një kujtesë për përgjegjësinë që bartësit e funksioneve politike kanë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RMV-së, Bllazhe Boev, u shpreh se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore dhe se zhvillimi i larmisë gjuhësore në Maqedoni është vlerë që e pasuron vendin.

Ndërkaq akademiku Gëzim Hoxha, përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, theksoi simbolikën e Kongresit të Manastirit si një faktor përbashkimi kombëtar i cili vazhdon të shërbejë si një faktor kohezioni mes shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

Një pjesë e rëndësishme e manifestimit ishte përurimi i botimit të edicionit të pestë të Ditëve të Alfabetit nga kryeredaktorja dhe bashkëpunëtorja hulumtuese e ITSHKSH Hidajete Azizi, botim ky që përmbledh aktivitetet shkencore nga po ky manifestim vitin e kaluar.

Gjatë Ditëve të Alfabetit, nga 14 deri më 22 nëntor, studiues nga Tirana, Prishtina dhe vendi do të trajtojnë me qasje të ndryshme dhe unike figurën e Ismail Kadaresë, duke e analizuar nga këndvështrime të ndryshme dhe pritet që kjo ngjarje të ketë një përmbajtje të pasur dhe mjaft të veçantë.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Exit mobile version