Nesër do të shënohet përvjetori i parë i luftës në Ukrainë – një moment historik që shumë nuk prisnin ta shihnin.
Ndërkohë që kanë kaluar 12 muaj takime diplomatike, sanksione perëndimore dhe vizita ndërkombëtare, për njerëzit në terren ka qenë terror dhe trazira të vazhdueshme.
Olga Kurylenko, kryeredaktore e gazetës Kyiv Independent, tha për Sky News se pushtimi ishte një “përvojë absolutisht traumatike – që ndryshoi jetën”.
“Është një përvjetor i zymtë… këtë kohë vitin e kaluar, kjo ishte dita e fundit normale për ne”, tha ajo.
“Askush prej nesh në Ukrainë nuk do të ndihet më i qetë më 24 shkurt”.
Disa ekspertë parashikojnë se do të ketë një stuhi sulmesh ruse gjatë 48 orëve të ardhshme, me Vladimir Putin që njihet për nisjen e sulmeve në data simbolike.
Zonja Kurylenko shtoi se “ne kemi shumë ankth për datën 24 sepse ne e dimë se Rusia priret të jetë e fiksuar pas datave dhe përvjetorëve… dhe ne e dimë se Rusia priret të bëjë gjeste simbolike si sulme masive me raketa në data shumë specifike”.
Sot, në Rusi, shënohet edhe Dita e Mbrojtësit të Atdheut – një festë publike kombëtare që feston forcat e armatosura dhe përkujton themelimin e Ushtrisë së Kuqe./UBTNews/