Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të shërbimeve për muajin maj 2026, duke paraqitur ndryshimet në qarkullim, punësim dhe fondin e pagave në këtë sektor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Sipas të dhënave të ASK-së, indeksi i qarkullimit në sektorët e shërbimeve gjatë muajit maj 2026 ka shënuar rënie prej 4,68 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.
Rritje të qarkullimit janë regjistruar në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 3,67 për qind, si dhe në veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 3,46 për qind.
Ndërkohë, rënie të qarkullimit janë evidentuar në sektorin e hoteleve me 1,55 për qind, në bar-restorante me 2,82 për qind, në transport dhe magazinim me 3,25 për qind, si dhe në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 21,81 për qind.
Sa i përket punësimit, ASK ka bërë të ditur se numri i të punësuarve në sektorët e shërbimeve ka shënuar rritje prej 4,42 për qind në maj 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Rritje të punësimit janë regjistruar në të gjitha aktivitetet e përfshira në statistika. Rritjen më të madhe e ka shënuar sektori i bar-restoranteve me 5,84 për qind, i ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 5,65 për qind, si dhe veprimtaritë botuese, prodhimi audio-vizual, transmetimi, telekomunikimi, programimi kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 4,63 për qind.
Rritje të numrit të të punësuarve janë regjistruar edhe në transport dhe magazinim me 2,86 për qind, në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 2,80 për qind, si dhe në sektorin e hoteleve me 2,38 për qind.
Ndërkaq, fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorët e shërbimeve ka shënuar rritje prej 16,43 për qind në maj 2026, krahasuar me majin e vitit paraprak.
Sipas ASK-së, rritjen më të madhe të fondit të pagave e ka shënuar sektori bar-restorante me 22,49 për qind, pasuar nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 16,42 për qind dhe aktivitetet administrative dhe mbështetëse me 16,29 për qind.
Rritje të fondit të pagave janë evidentuar edhe në sektorin e hoteleve me 15,21 për qind, në veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 14,80 për qind, si dhe në transport dhe magazinim me 13,30 për qind./A.K/
