NASA dhe Google kanë nisur një bashkëpunim për të testuar një asistent mjekësor të avancuar, të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, me qëllim që të ofrojë ndihmë për ekuipazhet gjatë misioneve të gjata hapësinore, ku komunikimi i drejtpërdrejtë me Tokën mund të mos jetë gjithmonë i mundur për shkak të vonesave.
Në kuadër të përgatitjeve për misionet e ardhshme përtej orbitës së ulët të Tokës, siç janë ato në Hënë dhe Mars, NASA dhe Google po testojnë një model të quajtur “Asistent Digjital Mjekësor i Ekuipazhit” (CMO‑DA). Ky sistem është projektuar për t’u mundësuar astronautëve që të menaxhojnë në mënyrë të pavarur situatat mjekësore duke diagnostikuar dhe trajtuar simptomat gjatë misionit.
Sipas përfaqësuesve të Google, asistenti digjital është trajnuar mbi literaturën e fluturimeve hapësinore dhe përdor teknologji të avancuara të përpunimit të gjuhës natyrore dhe të mësimit automatik për të analizuar në kohë reale gjendjen shëndetësore dhe performancën e astronautëve. Të dhënat paraprake tregojnë rezultate premtuese, me mundësi për diagnoza të besueshme bazuar në simptomat e raportuara nga ekuipazhi.
NASA dhe Google po bashkëpunojnë ngushtë me mjekë për të testuar dhe përmirësuar më tej funksionalitetin e këtij asistenti.
Kjo teknologji pritet të jetë veçanërisht e rëndësishme në misionet në hapësirën e thellë, ku kthimi i menjëhershëm në Tokë nuk është i mundur dhe mbështetja mjekësore në distancë është e kufizuar. Po ashtu, aplikimi i saj mund të shtrihet edhe në mjedise të izoluara në Tokë, ku qasja në shërbime mjekësore është e kufizuar.