UBT News

Ashpërsimi i gjobave në trafik, si do të ndikojë në rritjen e sigurisë në komunikacion?

Nga fillimi i muajit prill pritet të hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, me të cilat parashihen gjoba dukshëm më të larta për kundërvajtësit në komunikacion.

Selman Kolgeci, ekspert i komunikacionit shprehet optimist se ky ligj do të ndikojë në rritjen e sigurisë në komunikacion. Në një intervistë për UBTNews ai shpjegon se cilat do të jenë disa prej ndryshimeve që parashihen në të.

“Me këto ndryshime për kundërvajtësit recidivist është paraparë gjobë e dyfishtë dhe e trefishtë e shoqëruar me masë mbrojtëse si ndalim i drejtimit të mjetit me kohëzgjatje prej tre, gjashtë, nëntë apo 12 muajve, varësisht prej kundërvajtjes”, deklaroi ai.

Kolgeci thotë sfidë mbetet monitorimi i shpejtësisë.

“Sfidë vazhdon të mbetet monitorimi i shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve nëpër shumë akse rrugore, si ato nacionale dhe ato lokale. E kjo mund të bëhet përmes radarëve statik apo mobil”, deklaroi ai.

Ndërkaq njohësi i çështjeve të Ekonomisë, Artan Haziri thotë se krahasuar me vendet e rajonit, këto gjoba do të jenë shumë të larta dhe të papërballueshme për qytetarët e Kosovës. Megjithatë thotë se është e vetmja mënyrë në parandalimin e aksidenteve të cilat jo rrallë përfundojnë edhe me fatalitet.

“Gjobat do të jenë shumë të larta nëse krahasohen me vendet e rajonit dhe më gjerë. Nëse e marrim parasysh pagën mesatare në Kosovë, e duke ia shtuar kësaj edhe shportën e konsumatorit, vimë në një përfundim që gjobat janë tejet të larta dhe të papërballueshme, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por duke pasur parasysh edhe informatat tjera që ka aksidente shumë viteve të fundit edhe me fatalitet, besoj që e vetmja rrugë që të ndalet kjo është rritja e gjobave”, deklaroi Haziri.

Haziri propozon krijimin e një fondi të posaçëm nga këto gjoba, i cili mund të shfrytëzohet mes tjerash edhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

“Besoj që një shumë e konsiderueshme do të krijohet nga këto gjoba prej muajit të ardhshëm dhe shteti mundet nga këto të krijojë një fond të posaçëm, fond i cili mund të përdoret në forma të ndryshme, qoftë për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, por edhe për vazhdimin e autostradës e cila është në vijim e sipër”, deklaroi Haziri.

Hera e fundit kur Kosova bëri ndryshime në Ligjin për Rregullat në trafikun rrugor ishte në vitin 2016./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version