Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), duke iu referuar njoftimit nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF), bëri të ditur se gjatë kontrollit të kryer në një ngarkesë të produktit MDM pule, të importuar nga Rumania në Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve është vërtetuar ekzistenca e salmonelës në sasinë prej 27.7 kilogramë mish pule.
“Menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importit nga lloti i cili ka rezultuar pozitive është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.
AUV vazhdon të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si dhe me bizneset të silat merren me importin e mishit për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme./KP
