Berna Saraçi është sërish asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar nënkryetarja e Komunës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu dhe shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.
Kujtojmë se vetëm më pak se një muaj më herët, Saraçi kaloi nga VV-ja në Partinë Demokratike të Kosovës. Tash është kthyer sërish nga ku u largua më 21 qershor.
“Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambliste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj. Sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri më 21 qershor. Bashkë me grupin e PDK në Prishtinë, Bernës i dëshirojmë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi”, ka shkruar Sahatçiu.
Ndërsa Sveçla ka shpërndarë një fotografi të takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti, e ku ka shkruar “Na 3 asamblistët, sonte, në takim me Kryeministrin. Vazhdojmë rrugëtimin bashkë me Bernën”.