As sot nuk është marrë vendimi se si do të fillojë procesi mësimor për vitin e ri shkollor.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, në takimin me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe kryetarët e Komunave ka treguar planin se si parashihet të filloj mësimi.
Likaj tha se vendimi përfundimtar është përgatitur dhe përfundimisht brenda ditës ose në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të merret.
“Viti i ri shkollor të fillojë me datën 1 shtator për parashkollorët, klasët 1, 2, 3, 6 dhe 9 në fazën e parë, në fazën e dytë të fillojë me datën 7 shtator për klasën e 4, 5, ndërsa në fazën e tretë të fillojë me datën 10 shtator për klasët 7, 8, 9 dhe 11, 12. Natyrisht sipas tre skenarëve të përgatitur dhe nivelit të rrezikshmërisë. Ka komuna që i kanë bërë përgatitjet dhe i kanë kushtet dhe duan të shkojnë me planin A. Mësimi për disa kategori për nxënësit 7, 8, 9, 11 dhe 12 mund të jetë mësim i kombinuar 2 ditë shkollë dhe tri ditë në shtëpi. I kemi bërë edhe përgatitjet në distancë”, tha ai.
Likaj tha se të gjitha shkollat nuk kanë kapacitete për të organizuar mësimin sipas rekomandimeve të IKShPK-së.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se masterplani i MASh do të kalojë përmes qeverisë për hapjen e shkollave.
“Mastër plani do të kalojë në qeveri së shpejti dhe vendimin pastaj do ta merr ministria e Arsimit, duke i zhvilluar protokollet që tregojnë hap pas hapi çka ndodh. Sa i përket buxhetit komunat kanë 29 milionë euro për ti shpenzuar për nevojat e tyre edhe për fushën e arsimit dhe 10 milionë euro shtesë që i kemi nda për komunat për të menaxhuar me këtë situatë, plus janë 10 milionë euro shtesë në Ministrinë e Arsimit për të bërë përgatitjet e mësimit online”, tha ai.
Sa i përket lehtësimit të masave kundër covid-19, Hoti tha se nuk mund të thotë se do të shkojnë kah lehtësimi i masave pasi që numri i rasteve me fatalitet është i lartë.