Kosova e Serbia as pas takimit të shtatë me radhë nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Është kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili pas takimit të së mërkurës, tha se nuk pret që emisari evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të thërras takime të tjera për këtë temë.
Megjithatë sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, është momenti i fundit që rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, të zbatohet.
“Mendoj se është momenti i fundit të zbatohet dhe nga fakti që më herët është pranuar nga pjesa veriore dokumentet, patentshoferët, pasaportat, targat. Kjo nuk është çështje politike dhe nuk duhemi ta politizojmë”, deklaroi ai.
Sipas Bellaqës, rregullorja e BQK-së, siguron sovranitet ekonomik.
“E siguron sovranitetin ekonomik, juridik dhe kjo është e ligjshme dhe duhet çdo qytetar pra edhe minoriteti serb dhe çdo minoritet ta respektoj ligjin. Është e drejtë dhe e zbatushme. Do të ndikojë në ekonominë e vendit pozitivisht sepse për vetë faktin se nga pjesa veriore nuk e kanë njohur Kosovën, me miliona euro ka humbur qe më shumë se 20 vite sepse nuk i ka mbledhur këto mjete”, deklaroi ai.
Më 1 shkurt të këtij viti, në Kosovë ka hyrë në fuqi regullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb./UBTNews/
Realizoi: Fjolla Gashi