Një gjykatë ruse e ka dënuar me shtatë vjet burg një artiste nga Shën Petersburgu që protestoi kundër luftës në Ukrainë.
Aleksandra “Sasha” Skochilenko, artiste, muzikante dhe aktiviste, u shpall fajtore të martën për “shpërndarjen e vetëdijshme të informacioneve të rreme rreth ushtrisë ruse” në mars të vitit 2022.
Artistja e pranoi se zëvendësoi pesë etiketa çmimesh në një supermarket lokal me copa letre, përmes së cilave u kërkohej blerësve të ndalin luftën dhe t’i rezistojnë propagandës në televizion.
“Putini na gënjen nga ekranet televizive për 20 vjet: rezultati i këtyre gënjeshtrave është gatishmëria jonë për të justifikuar luftën dhe vdekjet e pakuptimta”, lexohej në një nga etiketat e ndryshuara, të cilën prokurorët e shpallën të rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin rus.
“Ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol. Rreth 400 njerëz po fshiheshin brenda”, thuhej në njërën prej tyre./UBTNews/