UBT News

Arrin kontigjenti i parë i votave nga diaspora

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes së KQZ-së ka thënë se të shtunën ka arritur kontigjenti i parë me vota nga diaspora. Ai ka thënë se kanë arritur 3 mijë zarfa nga posta e shpejtë.

“Kemi zhvilluar komunikimin me ta për votat me postë, po ashtu edhe përmes postave të shpejta dhe të njëjtën do ta përdorim. Të shtunën i kemi marrë diku rreth 3 mijë zarfe nga posta e shpejtë dhe ky është kontigjenti i parë. Jemi në fazën e furnzimit dhe shërbimeve për t’i kryer këto aktivitete, jemi në fazën e trajnimit të këshillave të vendvotimeve. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë shpërndarë kabinat e votimit, dhe sipas informacioneve pritet që fletëvotimet të arrijnë të premten në Kosovë”, tha Ahmetaj.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi, ka pyetur se si do të veprohet me njerëzit që janë të infektuar me Covid-19.

Ahmetaj ka thënë se përmes shtabeve emergjente do të verifikohen të gjithë personat e ngujuar nga Covid-19.

“E kemi praktikën e zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Podujevë ku zyrtarët kanë vepruar me shtabet emergjente dhe tash zyrtarët komunal janë në komunikim në mënyrë që të verifikohen personat me Covid, në mënyrë që të kenë edhe ata të drejtën të votojnë”, u shpreh ai.

Ndërsa, shuma për stafin që qëndrojnë në qendrat e votimit nuk ka ndryshuar, ka thënë anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti.

“Ne kemi analizuar këto projeksione që kanë ardhur nga sekretariati dhe janë shuma që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara shumat nuk kanë ndryshuar dhe janë në bazë të projeksionit, pas pastrimit të listës zgjedhore është zvogëluar edhe numri i stafit në vendovitme ku janë 1 mijë e 500 komisionerë”, tha Hamiti.

Përkundër që mbledhjet e fundit të KQZ-së ka pasur përplasje ndërmjet anëtarëve të saj, kjo sot nuk u pa.

Exit mobile version