UBT News

Arrijnë në Kosovë fletëvotimet për zgjedhjet e së dielës

Fletëvotimet për zgjedhjet e 14 shkurtit kanë mbërritur në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka bërë të ditur se fletëvotimet të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

Elezi ka sqaruar se ato të dielën në mëngjes do të shpërndahen për në 888 qendra të votimit, të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”, deklaroi ai.

Elezi ka shtuar se bazuar në listën përfundimtare të votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime.

“Bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak”, tha ai.

Exit mobile version