UBT News

Arrihet marrëveshja tregtare BE-Mercosur pas gati 25 vitesh bisedimesh

Komisioni Evropian dhe blloku tregtar i Amerikës së Jugut, “Mercosur”, njoftuan sot arritjen e marrëveshjes për krijimin e një zone të madhe tregtie të lirë, pas gati 25 vitesh bisedimesh të ngadalta dhe të ndërlikuara.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në kryeqytetin uruguaian, Montevideo, theksoi rëndësinë e marrëveshjes duke e quajtur atë si “fillimin e një historie të re”. Ajo shtoi se kjo marrëveshje do të forcojë lidhjet tregtare dhe ekonomike midis dy blloqeve të mëdha dhe do të sjellë mundësi të reja për rritjen e tregtisë dhe investimeve.

Marrëveshja e tregtisë së lirë përfshin më shumë se 700 milionë njerëz, duke e bërë atë një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë. Marrëveshja do të përfshijë katër vendet themeluese të “Mercosur”-it: Brazilin, Argjentinën, Paraguajin dhe Uruguain. Bolivia, një anëtare e re e “Mercosur”, dhe Venezuela, e cila është pezulluar nga grupi që nga viti 2016, nuk janë përfshirë në këtë marrëveshje.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes është nxitja e tregtisë midis dy blloqeve duke ulur tarifat doganore, duke krijuar mundësi për rritjen e eksporteve dhe të hyrave. Pjesëmarrësit e këtij marrëveshjeje, veçanërisht vendet e Amerikës së Jugut, do të kenë mundësinë të eksportojnë sasi më të mëdha të produkteve të rëndësishme, si mishi i viçit, pulës dhe sheqeri, në tregjet e BE-së pa u detyruar të paguajnë tarifa doganore.

Ky hap historik shënon një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare dhe pritet të sjellë përfitime të ndërsjella për ekonomitë e dy blloqeve./UBTNews/

Exit mobile version