Një burrë është arrestuar me dyshimin se ka fluturuar një dron mbi rezidencën e Mbretit të Suedisë e cila gjendet pranë Stokholmit.
I dyshuari u arrestua të dielën pasdite pranë Kështjellës Drottningholm, një nga Pallatet Mbretërore të Suedisë, tha policia.
Burri dyshohet se ka shkelur ligjin për mbrojtjen e vendeve të ndjeshme, si rezidenca private e mbretit Carl XVI Gustaf dhe mbretëreshës Silvia.
“Ne nuk po konfirmojmë kombësinë e këtij personi, ne thjesht po konfirmojmë arrestimin e një burri”, tha zëdhënësi i policisë së Stokholmit, Ola Österling për AFP-së.
Hetimi i është dorëzuar pjesërisht agjencisë suedeze të inteligjencës së brendshme, Säpo.
Arrestimi vjen pasi Suedia heton një sërë raportimesh për dronë të panjohur që janë pikasur në rajone të ndryshme suedeze.
Në fillim të këtij muaji, disa dronë thuhet se u vunë re mbi termocentralet suedeze dhe vende të tjera të ndjeshme.
Një “dron ushtarak” u raportua gjithashtu në mes të janarit duke fluturuar mbi parlamentin suedez dhe ndërtesat e qeverisë dhe pallatin mbretëror në qendër të Stokholmit./UBTNews/