UBT News

Arrestohet një zyrtar në Kamenicë, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve është arrestuar në Kamenicë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, rasti është zbuluar më 13 maj 2026 në fshatin Shahiq të Kamenicës, gjatë patrullimit të njësive policore, të cilat kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga një mashkull kosovar, i ngarkuar me dru, për të cilat dyshohet se po transportoheshin nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit përcjellës, policia ka dyshuar se një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve kishte bërë në mënyrë të kundërligjshme damkosjen e druve dhe lëshimin e fletëpërcjelljes.

Me vendim të prokurorit, drutë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

Exit mobile version