Policia e Kosovës ka arrestuar një person zyrtar në Kaçanik, i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave se i dyshuari, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, përveç dokumentacionit të rregullt për pajisje me leje ndërtimi, i kishte kërkuar një qytetari dokumente shtesë, duke i premtuar se do t’i siguronte përmes një kompanie private gjeodezike.
Viktima dyshohet se kishte paguar mbi 600 euro për këto dokumente, por pasi kishte marrë lejen e ndërtimit, kishte vërejtur se ato nuk figuronin fare në dosjen zyrtare, me ç’rast kishte njoftuar Policinë.
Pas pranimit të rastit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ndërmorën veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore.
I dyshuari u intervistua në prani të avokatit mbrojtës, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me aktvendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë./A.K/
