Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka arrestuar sot personin me inicialet H.G., (1958) mashkull kosovar, zyrtar i gjendjes civile në KK Pejë.
DHKEK-u ka siguruar dëshmi se i dyshuari e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile. I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.
Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë.