Një ish-pjesëmarrës i reality show-t britanik “Married at First Sight UK” është arrestuar nën dyshimin për përdhunim, pas një hetimi të realizuar nga emisioni investigativ BBC Panorama.
Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi se personi është marrë në pyetje dhe më pas është liruar me kusht, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Identiteti i tij nuk është bërë publik, ashtu si edhe ai i viktimës së dyshuar, në përputhje me ligjin britanik.
Dokumentari i transmetuar në muajin maj zbuloi akuza për përdhunim nga dy ish-pjesëmarrëse të emisionit, ndërsa një grua e tretë pretendoi se ishte viktimë e një akti seksual pa pëlqimin e saj. Burrat e përfshirë kanë mohuar të gjitha akuzat.
Pas publikimit të investigimit, Policia Metropolitane u bëri thirrje të gjithë personave që pretendojnë se kanë qenë viktima të sulmeve seksuale gjatë pjesëmarrjes në emision që të kontaktojnë autoritetet.
Ndërkohë, Channel 4 ka nisur një rishikim të pavarur mbi mirëqenien dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në “Married at First Sight UK”.
Pas transmetimit të dokumentarit, televizioni hoqi nga platforma e tij të gjitha episodet e emisionit. Ende nuk është marrë një vendim nëse sezoni i ri, i cili tashmë është xhiruar, do të transmetohet.
Producentët e emisionit kanë deklaruar më herët se sistemi i tyre për mbrojtjen e pjesëmarrësve është “ndër më të avancuarit në industri”./BBC//A.K/
