UBT News

Arrestohet një person që mashtroi qytetarët duke kërkuar para kinse për t’i ndihmuar personat e sëmurë

Është arrestuar një person në Kosovë me dyshimin se ai mashtroi qytetarët duke kërkuar para kinse për t’i ndihmuar personat e sëmurë.

I dyshuari ka përdorur fotografi të fëmijëve dhe personave të sëmurë duke i postuar ato edhe në rrjete sociale.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar një (1) person të dyshuar (A.A.) i cili përmes rrjeteve sociale dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke u kërkuar atyre të holla që të ndihmojnë fëmijët/personat e sëmurë. I dyshuari për kryerjen e këtij mashtrimi ka përdorur pa autorizim fotografi të fëmijëve/personave të sëmurë, duke i postuar në rrjete sociale dhe pastaj qytetarët kanë bërë pagesa në vlera të ndryshme përmes institucioneve financiare (para të shpejta), duke besuar se janë duke i dërguar paratë tek personat në nevojë, në këtë rast te personat e sëmurë”, njoftojnë nga Policia e Kosovës.

Policia ka kontrolluar dy lokacione ku edhe ka seskuestruar një telefon dhe një laptop. Pas përfundimit të procedurave intervistuese me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Tutje në njoftim thuhet se “Policia e Kosovës, vazhdon angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Exit mobile version